Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, ka komentuar vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës që deputetët e saj të shkojnë sot në Kuvend, pavarësisht se nuk është caktuar seancë parlamentare.
Në një prononcim për GazetaBlic, Baloku ka deklaruar se secili deputet ka të drejtë të shkojë në Kuvend sa herë që e konsideron të nevojshme, ndërsa ka theksuar se gjatë ditës së sotme në institucion pritet të ketë edhe vizita të bashkatdhetarëve.
“Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të shkojnë në Kuvend sa herë ata mendojnë që të shkojnë aty. Sot është ditë kur i presim bashkatdhetarët në Kuvendin e Kosovës në vizitë, prandaj me siguri shumë deputetë do të jenë të pranishëm. Se çfarë ata përpiqen të tregojnë me këtë, nëse ka diçka më tepër, mbetet të shihet”, ka deklaruar Baloku.
Deklarata e tij vjen pas paralajmërimeve nga PDK-ja për praninë e deputetëve të saj në Kuvend dhe për përdorimin e mjeteve institucionale e juridike lidhur me zhvillimet e fundit politike.
Baloku: Pozita e kryetarit të Kuvendit i është ofruar PDK-së
Duke folur për rrugëdaljen nga situata aktuale politike, Baloku ka përsëritur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje se PDK-së i është ofruar pozita e kryetarit të Kuvendit.
Sipas tij, kjo ofertë është bërë me synimin që të hapet rruga për bashkëpunim dhe krijimin e institucioneve të reja.
“Në parim, unë mund të përsëris atë që është thënë më herët, që si shumicë kemi ofruar pozitën e kryetarit të Kuvendit për partinë në fjalë, në mënyrë që të hapim bashkëpunimin dhe të krijojmë institucionet për çka edhe na kanë votuar qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar deputeti i VV-së.
“Zgjedhjet e reja janë totalisht të panevojshme”
Baloku ka kërkuar që procesi politik të përfundojë sa më shpejt, duke kundërshtuar mundësinë që Kosova të dërgohet sërish në zgjedhje.
Sipas tij, një proces i ri zgjedhor në këtë fazë do të sillte humbje kohe dhe shpenzime të panevojshme.
“Është e domosdoshme që ky proces të përfundojë njëherë e mirë, në mënyrë që të mos e dërgojnë Kosovën në zgjedhje të dështuara që janë totalisht të panevojshme. Janë humbje kohe dhe shpenzime të tepruara”, ka deklaruar Baloku.
Përplasjet politike rreth funksionimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve vazhdojnë, ndërsa lëvizja e paralajmëruar e PDK-së për të shkuar sot në Kuvend ka sjellë reagimin e radhës nga Vetëvendosje.

Be First to Comment